Studentë të Akademisë Profesionale të Biznesit vizitojnë Drejtorinë e Përgjithëshme të Standardizimit

Më datën 8 Qershor 2015, në kuadrin e praktikës profesionale studentë të Akademia Profesionale e Biznesit, Fakulteti Ekonomik, Dega Administrim biznes vizituan Drejtorinë e Përgjithëshme të Standardizimit, e cila në kuadrin e përfshirjes së edukimit në fushën e standardizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Universitetet, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, duke realizuar takimin e radhës me studentë nga Akademia Profesionale e Biznesit, Fakulteti Ekonomik, Dega Administrim Biznesi.

Nga DPS, Znj. Kostanca Dedja – Drejtore, Drejtoria e Çështjeve Ligjore dhe Marrëdhënieve me Palët dhe Znj. Anita Reçi dhe Znj. Olta Bane – Specialiste në Sektorin e Promovimit dhe Marketingut prezantuan kuadrin ligjor dhe funksionimin e sistemit të standardizimit në Shqipëri, rolin dhe rëndësinë e standardeve në ekonomi, si dhe mjetet e komunikimit dhe burimet e informacionit mbi standardet.

“Ndërgjegjësimi i studentëve, si gjenerata më e afërt e ardhshme që do të përdori standardet, është një nga përparësitë e punës së DPS-së në këtë drejtim” – u shpreh Znj. Dedja.

Nga Akademia Profesionale e Biznesit ishin të pranishëm Z. Enriko Ceko - Pedagog i lëndës: “Sistemet e Menaxhimit të Cilësisë” dhe një përfaqësi nga studentët e vitit të tretë, Administrim-Biznesi. “Nevojat për një menaxhim më të mirë kanë bërë që lënda e Menaxhimit të Cilësisë, që fillimisht zhvillohej në programin Master, të zhvillohet edhe në programin Bachelor, duke e parë si një domosdoshmëri të kohës për tregun e punës” – tha Z. Ceko.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me studentët të cilët ishin të interesuar si për të patur një informacion të përgjithshëm mbi sistemin e standardizimit dhe mënyrën e funksionimit të tij, ashtu edhe për pyetje e aspekte konkrete si: Çfarë është një standard? Çfarë bëjnë standardet për Ju? Si mund të blini një standard? A aplikon DPS ulje në çmimin e standardeve? Dhe veçanërisht Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë, duke marrë si shembull implementimin e standardit SSH EN ISO 9001:2008 nga DPS. Standardi SSH EN ISO 9001:2008 u mor si shembull konkret për të kuptuar çfarë është një standard, kërkesat e standardit, përfitimet dhe rëndësia në përdorimin e standardeve.

Në fund të prezantimit studentët u njohën me publikimet e DPS (Krijimin e përfitimeve nga standardet për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME-të), Udhëzuesi i Menaxhimit të Shërbimeve, Ju jetoni 24 orë me standarde, Si të marrim pjesë në procesin e standardizimit etj), vendosur në dispozicion në stendat dhe tavolinat e promovimit; materiale këto që mund t’i ndihmojnë gjatë procesit të studimit apo edhe në zhvillimin e temave të diplomës  në këtë fushë, duke veçuar Katalogun e Standardeve Shqiptare 2015.

Gjithashtu, DPS prezantoi të gjitha mjetet e komunikimit në dispozicion (tel, fax, faqjen zyrtare e internetit, profilet e DPS-së në mediat sociale) duke krijuar mundësinë për komunikim dhe informim të vazhdueshëm në të ardhmen.

Kontaktet
ADRESA: Rr. Vangjel Noti Nr.25, Laprakë,
Tiranë, Albania
Tel:  +355 42 454893
Cel:  +355 67 40 08880
        +355 67 40 08881
        +355 67 40 63042
email:  This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
            This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
            This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
web:    www.apb.edu.al